Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatë Supreme, ka marrë vendim me të cilin ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet 1990.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Gjykata Kushtetuese, ku thuhet se kërkesa e Supremes ishte e pranueshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, e drejta në pension kontributpagues në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Ligjin Nr.04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2014.
“Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.