Dy deputetë të opozitës kanë paralajmëruar se nga Lëvizja Vetëvendosje do të ikin disa deputetë. Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se tetë deputetë të mazhorancës kanë shprehur interes t’i bashkohen kësaj partie. Duke komentuar këtë deklaratë, deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Vetëvendosja ka dyshime se do t’i ikin katër deputetë. Por, kush janë këta deputetë? Një është ‘lajmëruar’ mbrëmë.
Lëvizjes Vetëvendosje mund t’i largohen disa deputetë. Së paku kështu po paralajmërojnë partitë opozitare.
Ishte Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ai i cili paralajmëroi i pari për këtë.
Sipas tij, tetë deputetë të mazhorancës kanë shprehur interes t’i bashkohen kësaj partie.
“Ka plot indikacione, ka lëvizje e interesime të deputetëve që të vijnë në grupin parlamentar të LDK-së. Janë të paktën tetë deputetë që kanë shpreh interes”, ka thënë Gashi në Debat Plus.
Ai tha se Qeveria mund të bie “në vjeshtën e vonshme” dhe se “ka pasur lëvizje brenda koalicionit qeverisës”, pasi tha se “ka pakënaqësi mes deputetëve”.
Një prej deputetëve të kësaj partie ka paralajmëruar largimin publikisht.
Ish-ushtari i UÇK-së, Fatmir Humolli, ka thënë se s’do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të VV’së nëse veteranët përjashtohen nga rritja e pagës minimale.
Ka paralajmëruar edhe krijimin e një grupi të ri parlamentar.
“Çështja e veteranëve është në proces. Nuk do të jem pjesë e grupit (v.j. nëse veteranët përjashtohen nga rritja e pagës minimale). Do të jem deputet i pavarur, ashtu siç kam qenë në listën e VV-së si i pavarur dhe nuk i bashkohem asnjë grupi politik. Do të shohim mundësinë për të bërë një grup tonin parlamentar”, ka thënë Humolli.
Humolli nuk ka pranuar të tregojë se kush tjetër do të mund t’i bashkohej këtij grupi të ri, duke thënë se kjo do të merret vesh ndërkohë.
Megjithatë, Humolli ka thënë se Qeveria do ta ketë përkrahjen e tij për çështjet që i konsideron të drejta.
Për këtë deklaratë të Gashit ka folur dje për Gazetën Express, Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo tha se s’ka informatë dhe se s’ka parë indikacion se deputetë të koalicionit qeveritar duan t’i bashkohen grupit parlamentar të LDK-së.
Kusari i tha Gazetës Express se në grupin parlamentar të LVV-së s’ka pasur “kurrfarë indicie” për largim.
“Jo nuk e kam as informatë, as indikacion… Te grupi ynë paralamentar nuk ka pasur kurrfarë indicie të deputetëve që mund të largohen”, tha ajo.
Deklaratën e Gshit e ka komentuar mbrëmë edhe deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu.
Ai tha për këtë ka folur me vet deputetët e VV-së dhe ata i kanë thënë se kanë dyshime se katër deputetë do të largohen.
Ai tregon se këtë bisedë e ka patur me deputetët në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Për këto tetë vota përgjigjen më të mirë do të jepte Arben Gashi. Pas këtyre fjalëve, fola me di9as deputetë të mazhorancës. Ata më thanë se ka dyshime për katër prej deputetëve, por jo 8. Pra mund të ketë katër deputetë që mund të ikin prej VV-së dhe t’i bashkohen subjekteve tjera. Por për më shumë pyeteni vetë Arben Gashin”, tha Haxhiu në Dpt te Fidani.
Tutje, ai tha se nuk do të flas me emra se për cilët deputetë dyshohet.
“Jo, më thanë ata vetë. Ka dyshime, por nuk dua të flas me emra. Shpresoj mos të ndikojë në votimin e Trustit”, shtoi ai.