Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, shkruan lajmi.net
“Në takim u theksua përkushtimi i Qeverisë për garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe kontributin e dhënë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ai e falënderoi Ipeshkvin për bashkëpunimin për Projektligjin për Liritë Fetare”, bën të ditur kryeministria.
Duke biseduar për rëndësinë e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike, u konfirmua përkushtimi i Qeverisë për ta rregulluar përmes ligjit.
“Në takimin e përbashkët me këshilltaren ligjore të Kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua për liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U ritheksua mbrojtja e tyre përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta”, thotë Qeveria.