Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se sundimi i ligjit është domosdoshmëri dhe prioritet e qeverisjes së tij, raporton Ekonomia Online.
Para kabinetit qeveritar, Kurti folur për situatën në veri dhe sulmet siç i ka quajtur nga bandat kriminale.
Kurti iu ka bërë edhe një herë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.
Ai sqaroi se Policia ka shqiptuar 1 mijë e 12 qortime/vërejtje për personat që nuk i kanë zëvendësuar targat e automjeteve që i lëshon Serbia.
“Bëj thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen e të mos braktisen institucionet”, tha Kurti.
Kryeministri tha se Kosova është “partnere e besueshme e miqve të saj”.
Fjalimi i plotë:
I nderuar kabinet qeveritar, Të dashur qytetar,
-Punësim dhe drejtësi; është platforma në të cilën ne kemi garuar para qytetarëve dhe që është shndërruar në paradigmën e qeverisjes sonë.
-Punësim nëpërmjet investimeve dhe rritjes ekonomike. Drejtësi nëpërmjet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Njëra për tjetrën janë parakushte.
– Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit, sepse duhet sundim i ligjit.
Nuk është zgjedhje. Është detyrim.
– Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. – Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
– Problemi i tyre nuk janë vendimet tona. As afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes. Asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që problem e kanë ligjin.
– Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve po u pengon ligjshmëria e kushtetushmëria, luftimi i kriminaliteti dhe i korrupsionit në vendin tonë.
– Ne jemi qeveri e përgjegjshme. E të gjithëve. Kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim, për integrim, për barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim dhe pa diskriminim.
– Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë.
– Aleate e zotuar e paqes. Partnere e besueshme e miqve të saj.
– Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë edhe të paqes.
– Ato janë vlera dhe orientimi i yni i përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë.
– Bëj thirrje edhe një herë që mos të bojkotohen dhe të mos braktisen institucionet. Dua të falënderoj bashkëqytetarët tanë serb për pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe të sigurisë.