Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është vendi i dytë që miraton tri marrëveshje mobiliteti të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e kaluar dhe e para që i ratifikon ato në parlament.
Ai i bëri thirrje edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, që të miratojnë marrëveshjet.
“Ne presim që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i miratojnë ato në mënyrë që studentët, punëtorët dhe bizneset të fillojnë të korrin përfitimet e Tregut të Përbashkët Rajonal”, shkroi Kurti në Twitter.
Sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
82 votuan pro këtij projektligji, derisa nuk pati asnjë votë kundër ose abstenim.
Më pas Kurti i falenderoi deputetët që votun pro këtij projektligji.
“Faleminderit për votimin e marrëveshjes së parë”, tha Kurti, derisa pritet të votohen edhe dy marrëveshje tjera.
Gjithashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë dritën jeshile dy marrëveshjeve- për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve në konteksin e marëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.
Për marrëveshjen e parë votuan 83 deputetë, ndërsa për marrëveshjen e dytë 84 sosh – që të gjithë pro.