Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takimin e pare formal, pas marrjes së komandës të KFOR-it, Gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia.
Së bashku me urimin për detyrën e re dhe mirëseardhjen në Republikën e Kosovës, Kurti e njoftoi Gjeneralmajor Ristuccia për zhvillimet në vend, punën e qeverisë dhe synimet e saj, me theks te fusha e sigurisë.
Falënderues për mikpritjen, Ristuccia shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe koordinim me qeverinë dhe institucionet vartëse të sigurisë dhe rendit në shërbim të sigurisë, paqes dhe garantimit të lirisë së lëvizjes.
Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mori komandën e KFOR-it më 10 tetor. Ai është oficeri i 13-të italian që merr komandën, si Komanda e 27-të e KFOR-it.