Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë pritur në takim Bordin e Drejtorëve të KEK-kut.
Rëndësia e punës së KEK-ut, veçanërisht gjatë krizës energjetike dhe sfidat që kjo ndërmarrje ballafaqohet, ishin dy prej temave të këtij takimi.
Kryeministri Kurti falënderoi Bordin për punën e deritanishme. Ai tha se ky dimër, përballë krizës globale energjetike, do të varet shumë nga optimizimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike të vendit dhe racionalizimi i shpenzimit të energjisë elektrike nga ana e institucioneve publike, qytetarëve dhe bizneseve.
Ky është njoftimi i plotë:
Bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e mirëpriti Bordin e Drejtorëve të KEK-ut, kryesuar nga Skender Haziri. Në takim ishte i pranishëm edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Rëndësia e punës së KEK-ut, veçanërisht gjatë krizës energjetike dhe sfidat që kjo ndërmarrje ballafaqohet, ishin dy prej temave të këtij takimi.
Infrastruktura dhe teknologjia e vjetër e termocentraleve vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore. Përkundër kësaj, Bordi i Drejtorëve e njoftoi kryeministrin Kurti rreth masave dhe përgatitjeve, që KEK-u ka bërë për periudhën e dimrit.
Kryeministri Kurti falënderoi Bordin për punën e deritanishme. Ai tha se ky dimër, përballë krizës globale energjetike, do të varet shumë nga optimizimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike të vendit dhe racionalizimi i shpenzimit të energjisë elektrike nga ana e institucioneve publike, qytetarëve dhe bizneseve. Duhen të dyja, që ky dimër të tejkalohet më lehtë.