Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur mbrëmë në zyrën e tij, udhëheqësen e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich.
Në komunikatë bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, si në fushën e ndërmarrësisë e sigurisë edhe asaj të kulturës, marrë parasysh historinë e përbashkët të miqësisë nga e kaluara.
Në mes tjerash u fol edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e diplomacisë dhe ekonomisë, përmes dinamizimit të komunikimit dhe të vizitave të ndërsjella të përfaqësuesve institucionalë të të dy vendeve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e mbështetur restaurimin dhe revitalizimin e ndërtesës e cila do të akomodojë Qendrën Kulturore Hebraike në Prizren. Kjo qendër, ndër të tjerash do të prezantojë ekspozitën ku do të shfaqet historia e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe historia e komunitetit Hebre në Kosovë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.