Kryeministri Albin Kurti, në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, u shpreh se Serbia, me mbështetje të hapur nga Rusia, ka ngritur një rrjet narrativash që synojnë të dëmtojnë Kosovën dhe të pengojnë përparimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Lidhur me këtë, ai u bën thirrje diplomatëve që të vërtetën ta kenë ta gatshme përherë, e mbi të gjitha të jenë të shpejt e të qartë në atë që tregojnë, njofton Klankosova.tv.
“Është e rëndësishme që rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbehemi, por edhe si ndërveprim me njerëzit. Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë, sigurisht që kanë rritur dhe forcuar lidhjet mes shteteve dhe popujve tanë”.
“Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve”, u shpreh i pari i qeverisë.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi që të jeni të shpejt në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë”.