Kryeministri Albin Kurti, duke folur në Forumin e Paqes në Paris, e ka krahasuar Serbinë me Rusinë, njëra duke sfiduar paqen e sigurinë në Lindje, e tjetra në Juglindje.
Këto të dyja, tha Kurti, i shohin shtetet me “lente etnike”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Paqja dhe siguria nuk po sfidohen vetëm nga Rusia në Lindje, por edhe në Juglindje nga Serbia. Këto dy vende nuk kanë kufij të përbashkët për qëllime të përbashkëta për të dominuar sepse shtetet i shohin me lente etnike sepse nuk besojnë në vlerat e demokracisë”, deklaroi Kurti.
Tutje, ai ka theksuar se ideologjia e fashizmit mund të prekë secilin komb, e për këtë, Kosova duhet të jetë viligjente e të mos ta lejojë.
“Kjo është themelore dhe duhet të jemi vigjilentë. S’duhet të lejojmë fashizmin. Fashizmi është një ideologji e cila mund të kap secilin komb, ajo s’është e rezervuar vetëm për Gjermaninë ose Italinë në mesin e dy luftërave botërore.”
Në fjalimin e tij, lideri Albin Kurti përmendi edhe kushtetutën e Kosovës, për të cilën tha se Kosova e ka “kushtetutën më të avancuar për të drejtat e pakicave, që s’arrihet as nga shtetet më demokratike.”
“Republika e Kosovës është shtet demokraitk. Ne besojmë se secili qytetar është i barabartë para ligjit.”
Kurti foli edhe për luftimin e korrupsionit, ku vëmendje i dha statistikave të publikuara nga Transparency International.
“Jemi përmirësuar për 17 pozita në luftën kundër korrupsionit sipas Transparency International.” /Reporteri.net/.