Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot kompanitë “Pristine Original” dhe “LB Group” në Prishtinë.
Në “Pristine Original”, takoi pronarin Skerdon Pruthi bashkë me bashkëpunëtorë. E themeluar në pjesën e parë të vitit 2021, kjo kompani e dizajnimit dhe prodhimit të veshjeve me kualitet të lartë, tani ka gjithsej 11 punëtorë, ndërkaq që produktet e tyre tashmë janë shfaqur në revista ndërkombëtare prestigjioze si GQ dhe Vogue.
Nga aty, vizitoi “LB Group”, kompani kjo që merret me prodhimin dhe tregtimin e lëndës së ëmbëlsirave si dhe me prodhimin e ambalazheve të kartonit dhe letrës, u mirëprit nga bashkëpronari Labeatin Bajraktari dhe ekipi i tij.
Biznes familjar që punën e kishte filluar në vitin 2009, fillimisht në industrinë e paketimit me karton dhe letër, tani ka 78 punëtorë, rroga mesatare e të cilëve është mbi 500 euro, dhe është kompani lider për prodhimin lëndës së parë të ëmbëlsirave duke e zëvendësuar gjithmonë e më shumë nevojën për import për këto produkte, teksa së fundmi ka filluar edhe me prodhimin e pastës së sheqerit duke u bërë e para në vend dhe në rajon. Si rezultat i investimit në prodhim, shitjet për vetëm 3 muajt e parë të këtij viti janë gati sa totali i shitjeve të krejt vitit 2020.
Në vitin 2022, “LB Group” ka kontribuar me tatime gati 1 milion euro. Nga viti 2021, ajo po ashtu posedon edhe qendër të trajnimeve, “LB Academy” në të cilën deri më tani kanë ndjekur trajnimet tre mujore për përgatitjen e ëmbëlsirave rreth 500 gra. Në vitit 2022, “LB Group” kishte shënuar një rritje prej 10% në shitje krahasuar me vitin paraprak. Trend edhe më pozitiv kishte shënuar sa i përket punësimit. Për më pak se një vit e gjysmë, numri i të punësuarve ishte rritur për 13%. Faza e ardhshme e këtij biznesi është eksporti.
“LB Group” është përfituese e dyfishtë e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, masës 2.1- Subvencionimi i kredive investive dhe 2.4 – Mbështetja e eksportit, të cilat ua kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerim të tregut.
Kryeministri i Kurti i falënderoi të dy kompanitë për angazhimin dhe kontributin e tyre për zhvillimin e prodhimtarisë vendore, promovimin e vendit përmes produkteve kualitative dhe për ekonominë e vendit.