Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar për ngushëllime tek familja Krasniqi në Çabiq të Klinës ku vdiq Shehide Selimi – Krasniqi, nëna e dy dëshmorëve Ali dhe Mujë Krasniqi.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se çdo nënë dëshmori, është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë, shkruan Televizioni Opinion.
Postimi i plotë:
Ajo vetë mbante emër me kuptimin “dëshmore”, kurse Kosovës ia rriti dy djem që ranë dëshmorë. Shehide Selimi – Krasniqi e cila vdiq dje, ishte nëna e dëshmorëve Ali dhe Mujë Krasniqi.
Për nderim të nënës Shehide Selimi – Krasniqi, isha për ngushëllime në Çabiq të Klinës. Çdo nënë dëshmori, është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë. Bijë e familjes Selimi nga Aqareva, Shehideja ia dha dy djem dëshmorë lirisë së Kosovës, Mujën dhe Aliun, duke e përlartësuar përkushtimin patriotik ndaj atdheut, përcjellë ndër breza nga familje me edukim të këtillë, si familja e bacit Halil dhe nënës Shehide.
Kujtimet për nënën Shehide do t’iu bashkohen kujtimeve për Mujë dhe Ali Krasniqin. Ngushëllime familjeve Selimi dhe Krasniqi, nderime dhe mirënjohje për nënën Shehide.