Sondazhet e fundit e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si parti të parë, por jo sipas përformancës së 14 shkurtit – megjithatë kreu i saj Albin Kurti, ka thënë të hënën se “nuk do të kenë probleme për zgjedhjet nacionale të vitit 2025”.
Këtë besim, Kurti e bazon duke thënë se “gjatë këtij viti dhe dy viteve të ardhshme do të bëjnë punë të mirë”.
“Megjithatë, në fund qytetarët vendosin për fituesin”, ka thënë Kurti. Kreu i ekzekutivit ka shtuar se “pushtetin nuk e kanë me çdo kusht”.
“E duam shumë shtetin dhe nuk e kemi me çdo kusht pushtetin – pushtetin e shohim si mjet për t’i shërbyer shtetit”, ka deklaruar Kurti.
Por e ka pranuar që kanë pritur më shumë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku LVV-ja si parti e pushtetit kishte fituar katër komuna.
“Është e vërtetë që kemi pritur më shumë në zgjedhjet vendore, mirëpo po ashtu e kam përshtypjen që në zgjedhjet vendore jemi një palë zgjedhje prapa atyre nacionale. Shumë komuna ku nuk kemi fituar është për fare pak vota”, ka deklaruar Kurti.
Ka thënë se “ka pasur një bashkëpunim të të gjithëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Por e tillë është gara politike”, e ka pranuar Kurti, teksa ka shtuar se “është mirë kur opozita mund të fitojë”.
“Nuk po them që do të fitojnë, por ka mundësi”, ka nënvizuar njeriu më i pushtetshëm në Kosovë.
Më tutje, Kurti ka shprehur bindjen se do të vazhdojnë të jenë parti e parë, duke shprehur optimizëm se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të dalin më mirë.