Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thyer heshtjen për çështjen e shamisë në shkolla.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë, mirëpo që duhet të ketë një prag, e që sipas tij duhet të jetë mosha 16-vjeçare, shkruan lajmi.net.
“Ministria e Arsimit është duke e përcjellur me vëmendje shqetësimin e disa qytetarëve që e kanë nisur një fushatë. Ne do ta kemi edhe projektligjin për liritë fetare, për komunitetet fetare në Kosovë. Unë e kam thënë qëndrimin tim, është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve”, tha Kurti.
“Por gjithashtu, mosha 16-vjeçare është pragu. Dhe mosha 16-vjeçare është pragu për shumë gjëra. Ky është qëndrimi im edhe si aktivist politik edhe si kryetar i një subjekti. Meqë mund të marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjeçare, besojmë që në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjeç”, tha ai.
“Ne e shohim moshën 16-vjeçare si moshë e pragut për shumë gjëra, e në këtë aspekt edhe për mbajtjen e shamisë”, shtoi në fund Kurti.