Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është deklaruar rreth marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat që u arrit mbrëmë, duke thënë se qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim por se është ndryshuar deklarata e Borrellit.
Kështu ka deklaruar Kurti në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare ku ka shtuar se, ata që thonë se ajo që nuk u pranua të hënën e u pranua të mërkurën, nuk e dinë për çka po flasin, shkruan lajmi.net.
“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët që ka pasur 95 fjalë dhe fjalët e Francës dhe Gjermanisë nuk kanë qenë askund dhe nuk i referohej propozimit franko-gjerman, përveç çështjet së targave të çështja e këtij propozimi, nuk duhet propozimi, por do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman”, ka thënë i pari i qeverisë.
“Ndërkaq, dokumenti i djeshëm ka pasur 194 fjalë, krejt i ndryshëm. Ata që thonë se ajo që nuk u pranua të hënën u pranua të mërkurën, nuk po e dinë për çka po flasin. Ishte tekst më i madh ky i mbrëmshmi dhe nuk është marrëveshje, por dakordim. Është deklarata e Borrellit ajo që u bë mbrëmë, u ndryshua deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë”, ka shtuar Kurti.