Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe. Ai sot në Londër është pritur nga ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë, derisa më pas ka mbajtur edhe një fjalim në Oxford Union, shkruan Gazeta Express.
Në hyrje të fjalimit të tij, Kurti ka folur për vështirësinë e të qenit kryeministër i Republikës së Kosovës, meqë thotë se është shumë e vështirë shtyrja përpara e agjendës socialedemokrate me kapacitete të brishta shtetërore dhe në një ambient të armiqësuar gjeopolitik.
Këtu kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka përmendur edhe atë që Ballkani njihet figurativisht si fuqi baroti, thënie kjo që i atribuohet ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Winston Churchillit. Kurti thotë se një koment i tillë ka edhe dozë të rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike.
“Ballkani është i njohur figurativisht si fuqi baruti e Evropës. Një thënie e njohur që shpesh i atribuohet një prej kryeministrave më emblematikë, Sir Winston Churchill, thotë që Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë. Padyshim, një koment i tillë nuk është pa dozën e rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike. Siç dihet mirë, Ballkani tradicionalisht ka shërbyer si Orient i brendshëm i Evropës – një gadishull në periferinë juglindore të kontinentit, i banuar nga popuj gjysmë barbarë, me tradita të çuditshme dhe të prapambetura, të prirë për konflikte të paarsyeshme etnike. Për më tepër, paraqitja e Ballkanit si fuqi baruti e Evropës, tenton të lë në hije një fakt tjetër kyç, që kjo lloj fuqie rrallëherë ishte vetëm për fajin tonë. Fuqitë e mëdha të Evropës rrallëherë kanë qenë soditës të pafajshëm në çështjet e Ballkanit”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij.