Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, ka thënë se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi është i garantuar në të gjitha fushat e tjera.
Sipas kryeministrit të Kosovës, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar, është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esencial politik mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, tha Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët drejtues i politikave.
“Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë në rastin tonë parimet dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Evropian, përderisa edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët synimi i ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona”, tha kryeministri i Kosovës.
Ndërsa lidhur me marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kurti ka thënë se të njëjtat synojnë lehtësimin mëtejshëm të jetës së qytetarëve duke ndërtuar infrastrukturën e përbashkët për arritjen e synimeve.
Ai ka përmendur marrëveshjen për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë me të njëjtat procedura, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ndodhen.
Gjithashtu, ka përmendur projekt idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
“Pritshmëritë tona janë reale, proceset integruese e përbashkuese të parashikuara në këto marrëveshje janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore. Ndërkohë na mbetët edhe përcaktimi i shpejtësive të zbatimit të tyre, ne besojmë që gjashtë muaj më pas do të kemi rezultatet e ardhshme. Për fund, na duhet harmonizim dhe bashkërendim më i mirë i politikave dhe veprimeve në mes të dy vendeve tona si në çështjet rajonale, po ashtu edhe të politikes së jashtme. Është e vërtetë që shqiptarët sot jetojmë më mirë se kurdo herë, por krahasimi ynë vetëm me vetveten nuk është matësi më i mirë, sepse ne ishim populli më i shtypur e si rrjedhojë edhe më i pazhvilluari në Evropë. Progresin tonë duhet ta matim duke e krahasuar me atë të vendeve të zhvilluara në të cilat edhe kanë ikur një pjesë e mirë e popullit tonë”, tha Kurti.
Kurti gjithashtu është shprehur i kënaqur me zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.