Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të ndërtesës së re të çerdhes në afërsi të shkollës së Gjelbër në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Kurti më këtë rast ka përmendur investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovë, duke thënë se po i realizojnë zotimet.Ai më tej ka sqaruar se çerdhja që do të ndërtohet në Prishtinë do të ketë 1 300 metra katrorë e do të kushtojë mbi 700 mijë euro.
“Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin e çerdhes në Gjakovë. Sot do të vazhdojmë punime në Prizren, Suharekë, Skenderaj. Do të jem në Podujevë duke lëvizur drejt zotimeve tona”.
“Çerdhja që po i fillon punimet do të 1 300 metra katror. Përmban 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve. Ky investim kap vlerën 743 mijë euro. Përgëzime e urime të gjithëve”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se Qeveria ka ndarë buxhet për ndërtimin e çerdheve e shkollave të reja, duke shtuar se po punojnë për gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm.
“Qeveria jo vetëm që ka ndarë buxhetin, por edhe ka rritur buxhetin për investime në shkolla të reja dhe çerdhe. Nga komuna në komunë e fshati në fshat do të punojmë shumë në arsim”.
“Unë pres që punimet të shkojnë mbarë e mirë. Do të punojmë lidhur me gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e konsideroi fillimin e punimeve të kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin, raporton Ekonomia Online.Sipas tij, vetë, bashkëpunimi i nivelit lokal me nivelin qendror jep fryte.
“Përgjegjësia jonë për ngritjen e kualiteti fillon nga fëmijëria ku i mundësojmë fëmijëve të kenë qasje e të shoqërohen me njëri-tjetrin. Është ndihmë edhe për prindërit. Po krijohen mundësi edhe më të mira”.
“Bashkëpunimi i nivelit lokal me nivelin qendror normalisht jep fryte të mirëfillta. Kemi edhe tri shkolla që planifikojmë t’i ndërtojmë. Vetëm me bashkëpunim mund të bëjmë punë të mëdha”.