Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët në shënim të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me temën “Pakicat në Kosovën e pavarur”, të organizuar nga Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit, shkruan lajmi.net.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se takimi i sotëm përfaqëson simbolikisht atë që Republika e Kosovës në të vërtetë po e jetëson, pra ndjenjën e përbashkësisë dhe pjesëmarrjes për të gjithë.
“Kosova është shteti ynë i përbashkët ku të gjithë duhet të ndjehemi plotësisht të barabartë dhe të padiskriminuar mbi asnjë bazë”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.
Ai shprehu mirënjohje ndaj secilit për angazhimin e palodhshëm, për kontributin e pa kursim dhe për rolin e çmueshëm në institucione dhe në shoqëri, dhe u uroi 15- vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës me thirrjen që të gjithë së bashku të forcojmë ndjenjën e dashurisë, dhe ta shtojmë angazhimin e punën në shërbim të vendit.
Urimit për 15-vjetorin e Pavarësisë iu bashkëngjit edhe zëvendëskryeministrja Redžepi duke thënë se “sot të gjitha komunitetet jo shumicë urojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë festën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, së bashku me mesazhin për paqe, tolerancë, harmoni dhe jetës së përbashkët”.
Krahas tre ministrave të kabinetit qeveritarë që vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Qobaj dhe deputeti shtetëror në Bosnjë dhe Hercegovinë z. Shemsedin Mehmetoviq, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për çështje të pakicave dhe të drejta të njeriut, znj. Emilija Redžepi,
Të nderuar ministra të Qeverisë, z. Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim dhe z.Fikrim Damka, ministër për Zhvillim Rajonal,
I nderuari zëvendësministër Lazar Radulovic në ministrinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural
Të nderuar përfaqësues diplomatikë të vendeve mike në Republikën e Kosovës
Shkëlqesia juaj, ambasadori i Malit të Zi, z. Bernard Qobaj
Zonja dhe zotërinj,
I nderuari deputet shtetëror në Bosnjë dhe Hercegovinë z. Shemsedin Mehmetoviq i cili përndryshe është edhe ndër themeluesit e partisë së Aksionit Demokratik ESDA,
Fillimisht, më lejoni të ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve dhe të ju uroj mirëseardhje. Takimi i sotëm përfaqëson simbolikisht atë që Republika e Kosovës në të vërtetë po e jetëson: ndjenjën e përbashkësisë dhe pjesëmarrjes për të gjithë.
Kosova është shteti ynë i përbashkët ku të gjithë duhet të ndjehemi plotësisht të barabartë dhe të pa diskriminuar mbi asnjë bazë.
Kosova është shteti ynë i përbashkët pra në të cilën duhet të kemi edhe mirëqenie edhe siguri dhe ky është prioritet i qeverisjes sonë si garant i mbështetjes për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, me fokus në sundimin e ligjit dhe drejtësinë, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes së arsimit dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë.
Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Brenda një viti, me Pakon për Ringjallje Ekonomike dhe Pakon për Përballje me Inflacion kemi mbështetur drejtpërdrejt rreth 800 mijë qytetarë të Republikës, apo praktikisht secilën familje në vendin tonë.
E kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Gjithashtu kemi miratuar edhe Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026.
Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve i ka mbështetur organizatat dhe mediet për aktivitete të ndryshme kulturore.
I kemi përkrahur 123 projekte për biznese të vogla dhe start-up për komunitetet jo shumicë, mes tyre 48 për komunitetin serb, 27 për komunitetin boshnjak, 21 për komunitetin egjiptian, 10 për komunitetin ashkali, 5 për komunitetin goran dhe 4 për komunitetin rom.
I kemi ndarë 96 grante për organizata për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet jo shumicë.
Arsimin e lartë e kemi bërë pa pagesë për të gjithë studentët, pa dallim. Pra edhe niveli bachelor edhe niveli master janë falas, vetëm për doktoraturë duhet të paguhet por edhe për atë shumë më pak se gjetiu.
Për ta mbështetur edukimin, i kemi ndarë 300 mijë euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Edhe i kemi ndarë edhe 300 mijë euro për qendrat mësimore te fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë.
Programet mësimore/lëndore janë përkthyer në turqisht dhe boshnjakisht, ndërsa në proces përkthimi janë edhe për serbisht dhe anglisht. Tekstet shkollore janë përkthyer nga shqipja në turqisht dhe boshnjakisht. Dhe iu kemi dhënë mundësinë për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare, 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet jo shumicë.
Që nga fillimi, ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë ndaj komuniteteve jo shumicë më shumë se sa çdo qeveri e mëparshme. Ne e kultivojmë diversitetin si pasuri, kërkojmë solidaritet me të gjithë dhe barazi që nuk e lejon askënd të diskriminohet. Qeveria jonë është e angazhuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Kjo nënkupton që të mos ketë favorizime sepse privilegjet për dikë bëhen mandej diskriminim për dikë tjetër. Pra barazia nuk na mbron vetëm nga diskriminimi por edhe nga privilegji edhe nga favorizimet sepse një pjesë e konsiderueshme e diskriminimeve nuk nisin si diskriminimi por nisin si favorizime për dikë, si privilegjim për dikë, e vetëm më pas bëhen diskriminim për të tjerët.
Për këtë qëllim ne kemi rritur dialogun me ju si qytetarë dhe pjesëmarrës të barabartë të vendit tonë.
Kjo dëshmohet në vepër përmes përfaqësimit politik edhe brenda ekzekutivit: posti i Zëvendëskryeministres, postet ministrore, anëtarë të kabinetit tim, e numri i të punësuarve në administratë, mes tjerash, janë trende që presin t’i vazhdojmë me intensitet edhe më të madh. Ndërkaq me Ligjin e ri për Zyrtarët Publikë kemi krijuar mekanizmat për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori, në pozitat shtetërore.
Vizioni ynë është rruga evropiane, realizimi dhe ringjallja e vlerave më të larta evropiane në realitetin tonë të përditshëm.
Prandaj është e rëndësishme që të gjithë së bashku, shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, romët, egjiptianët, ashkalinjtë, goranët e komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, pra edhe kroatët e malazezët, të ndërtojmë një të ardhme evropiane dhe një Kosovë evropiane. Kosova është i vetmi atdhe që kemi dhe të cilin me forca të përbashkëta duam ta lidhim me rrugën evropiane, ta bëjmë një vend që plotëson kushtet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Sepse rruga evropiane për këtë Qeveri, thjesht nuk ka alternativë. Edhe na nevojitet edhe e duam.
Me këtë angazhim dëshmojmë se shteti i Kosovës dhe Qeveria jonë janë edhe e vërteta juaj, atdheu dhe qeveria e të gjithëve pa përjashtim.
Unë ju shpreh mirënjohje secilit e secilës prej jush për angazhimin e palodhshëm, për kontributin e pa kursim dhe për rolin tuaj të çmueshëm në institucione dhe në shoqëri.
Në fund, më lejoni të ju uroj edhe 15- vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke dëshiruar që gjithë së bashku të forcojmë ndjenjën e dashurisë, dhe ta shtojmë angazhimin e punën, duke i uruar vendit tonë jetëgjatësi të përjetshme.