Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për EURACTIV ka thënë se Kosova dhe Serbia synojnë të përfundojnë një marrëveshje historike për normalizimin e raporteve “këtë vit” teksa ka bërë të qartë se nuk do të ishte pa probleme, pavarësisht angazhimit të shtuar perëndimor.
“Ne kemi nevojë për normalizim të raporteve të marrëdhënieve dhe kjo mund të arrihet me njohjen reciproke në qendër të kësaj marrëveshjeje. Serbia ka qenë e bindur se nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e Kosovës megjithëse mund të pajtohet për një njohje “de facto”, ka thënë Kurti.
Këto deklarata të Kurtit vijnë pak para takimit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku do të jetë prezent edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Siç dihet, marrëveshja është e gatshme dhe se nuk do të diskutohet fare për përmbajtjen e saj.
Këtë e ka konfirmuar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ka bërë të ditur se do të diskutohet vetëm për planin e zbatimit.
I pyetur për perspektivën e përfundimit të një marrëveshjeje deri në fund të këtij viti, sipas afatit kohor që është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti ka thënë “sigurisht që synimi është që kjo marrëveshje të arrihet këtë vit”.
“Ajo që ka mbetur për të negociuar nuk do të jetë aspak e lehtë – është një mekanizëm për zbatim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, ka vijuar Kurti.