Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar, se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, vazhdojnë të mos jenë normale edhe pse Kosova sipas tij është vend normal e demokratik.
Në një intervistë për Top Channel, ai ka thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por sipas tij Serbia nuk ka gatishmëri për një gjë të tillë.
Ai tha se shteti serb nuk distancohet nga e kaluara dhe as nga e tashmja duke u bërë vegël e Rusisë.
“Qysh dje po të varet prej meje, por është e qartë se pala e cila nuk është konstruktive, pala e cila është agresive, ajo e cila nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviqi, as nga e tashmja problematike për kontinentin tonë, pra Kremlini e Putini është Beogradi zyrtar”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Kosova është shtet më demokratik se sa Serbia teksa shtoi se Serbia ende nuk është pavarësuar nga Rusia.
“Ne si shtet demokratik dhe i pavarur jemi të bindur që jemi edhe më demokratik edhe të pavarur se sesa Serbia. Ajo është një regjim hibrid, autokraci praktikisht dhe në anën tjetër nuk është e pavarur nga federata ruse”, ka thënë ai.
Kurti foli edhe për marrëveshjen e Ohrit, për të cilën tha se sjell njohjd de-facto për Kosovën.