Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), prej ku ka dhënë zotimin për të punuar bashkë e edhe më shumë në vitin 2023.
Sipas Kurtit, KEK-u është drejt përforcimit e diversifikimit të burimeve të energjisë.
“Në mes të kësaj sfide që i ka shkundur themelet e njërit prej sektorëve më të lëna pas, KEK-u, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ka arritur që të përmbyll projekte të cilat do të sigurojnë vazhdimin e funksionimit të Korporatës dhe përforcimin e kapaciteteve të saj në të ardhmen”, tha Kurti.
Më tej, kryeministri theksoi se Qeveria ka siguruar grante dhe kredi të cilat do të mundësojnë vënien në jetë të një projekti Solar prej 100 Megawatt kapacitet, që është investimi i parë publik në kapacitete gjeneruese që nga fillimi i operimit të bllokut B2 më se katër dekada më parë.
Ai po ashtu tha se ky projekt është pjesë e angazhimit gjithëpërfshirës të Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, ku hyn edhe projekti “Solar 4 Kosova”, i cili parasheh zgjerimin e ngrohtores së Termokosit përmes energjisë solare.
“Projektet e nisura në KEK shënojnë hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, ku roli i KEK-ut vazhdon të jetë i domosdoshëm dhe përputhet me shumëllojshmërinë e kërkesave të një sektori modern edhe të qëndrueshëm”, u shpreh ai.
Para përmbylljes së vitit, KEK-u tanimë i ka prodhuar 5,152 GWh për orë, e nga të cilat 581 GWh për orë janë eksportuar, i bie përafërsisht 11.2 për qind të prodhimtarisë së gjithëmbarshme ka shkuar për eksport.
Pra, për ta arritur këtë nivel të prodhimit janë nxjerrë rreth 7.5 milionë tonë të qymyrit nga 8 milionë sa kanë qenë të planifikuar për vitin 2022.