Raportet e shkëlqyeshme ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si dhe mundësitë e thellimit të tyre u theksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Qeveria.
“Duke biseduar për perspektivën evropiane të vendit tonë, u potencua nevoja për liberalizim të vizave, si proces tashmë i vonuar”, u tha në komunikatë.
Kryeministri Kurti kërkoi përkrahje nga Greqia për vendin tonë në integrimin e mëtutjeshëm në organizata rajonale.
Gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve rajonale, si dhe ndikimit politik dhe ekonomik të luftës në Ukrainë. U dakorduan për domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të përbashkëta sanksionuese ndaj Rusisë, si dhe përfshirjen e të gjithëve pa përjashtim në ndihmë Ukrainës, për të përballuar agresionin rus. U theksua nevoja për rritjen e angazhimit për zvogëlimin e ndikimit nga aktorë të tretë në rajonin tonë, si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor.