Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, është miratuar struktura për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit.
Kryeministri Albin Kurti, ka prezantuar përbërjen e komisionit që do ta udhëheq hartimin e kësaj strategjie.
Për këtë Kurti ka angazhuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiun, ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Sot ju ftoj t’i miratojmë strukturat për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit, të udhëhequr nga komisioni hetimor me këtë përbërje: Hekuran Murati, kryesues Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli, anëtarë”, tha ai.
Ndryshe ministrat parashihet se duhet të hartojnë këtë strategji deri në fund të vitit.
Në fillim të mbledhjes së qeverisë, Kurti e ka vlerësuar si të veçantë këtë pikë që kishte të bënte me luftimin e korrupsionit.
“Sot para nesh kemi një mbledhje mbase më të shkurtër sesa zakonisht, por me një pikë të rëndësishme në rendin e ditës”, tha ai.