Albin Kurti, kryeministër i Kosovës e ka cilësuar 14 korrikun ‘Ditën Kombëtare të Francës’ si datë që është përtej saj, pra si referencë e ndërgjegjes humane.
Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Kurti ka thënë se revolucioni borgjez francez është një një ngjarje e lirisë dhe që i parapriu projektit evropian.
Sepse, për kombe dhe popuj të asaj kohe, kjo datë dhe ngjarja që ajo shenjon u paraqitën si një limit që duhej mbërritur tashmë, si një detyrë e paanashkalueshme, pavarësisht konservatorizmave të regjimeve e shoqërive, ndalimeve në konceptimin e sovraniteteve dhe drejtësisë, gjendjeve gjeopolitike në të cilat mbaheshin të ngulfatura fuqitë e kohës. Për atë datë dhe ngjarjen e saj kishin punuar të paktën dy shekuj francezë, që prej Descartesit deri tek Iluministët”, ka shkruar Kurti ndër tjerash në Facebook.
Kreu i ekzekutivit kosovar po ashtu ka përmendur traktatet angleze si ajo i filozofit John Locke si rrjedhshmëri e krijimtarive që sollën konceptin e lirisë në zbatim.
Postimi i plotë i Kurtit:
14 Korriku
14 korriku është një nga datat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, edhe pse është festa kombëtare e Francës. Sepse 14 korriku i vitit 1789 u bë më shumë si një referencë e ndërgjegjes humane e qytetare. Nën numrin e kësaj date revolucionare paraqitej në tërësinë e Evropës dhe botës, masa më e madhe evolucionit historik që do të shpinte në përputhjen e së drejtës politike dhe së drejtës shoqërore.
Sepse, për kombe dhe popuj të asaj kohe, kjo datë dhe ngjarja që ajo shenjon u paraqitën si një limit që duhej mbërritur tashmë, si një detyrë e paanashkalueshme, pavarësisht konservatorizmave të regjimeve e shoqërive, ndalimeve në konceptimin e sovraniteteve dhe drejtësisë, gjendjeve gjeopolitike në të cilat mbaheshin të ngulfatura fuqitë e kohës. Për atë datë dhe ngjarjen e saj kishin punuar të paktën dy shekuj francezë, që prej Descartesit deri tek Iluministët.
E quajtën këtë sjellje mendore shekulli i dritave. Por jo vetëm kaq. Rrallë mund të ndodhë në histori që kombe apo popuj të tërë të hyjnë në konkurrencën e konceptimit të lirisë: anglezët me traktatet mbi njohjen dhe njeriun, me John Lockun; amerikanët me revolucionin dhe deklaratën e pavarësisë; francezët me revolucionin dhe me asambletë, me tërë traktatet dhe enciklopedinë, me kartën e të drejtave të njeriut; gjermanët me përpunimin e jehonës së revolucionit dhe me nocionin e një njerëzimi që këtej e tutje do të ishte entuziast, sipas shprehjes së Kantit. 14 korriku është pra një lloj menteshe e domosdoshme mes liberalizmit dhe socializmit që do të mbulonin shekujt që do të vinin. Italianët e Rilindjes patën humanizmin, por francezët e iluminizmit patën Republikën.
Nuk besoj se ka datë që përfshin më shumë politikë të lirisë dhe popull njerëzor se 14 korriku. Kjo datë nuk është se përmbylli, në cilësinë e një rezultati, reflektimet më të lartë të arteve dhe shkencave, të lirisë dhe besimit, të arsimit dhe barazisë, por ajo hapi një imagjinatë të paparë deri atëherë: individi e pa veten në masë të madhe si hartues i ligjeve të bashkësisë. Ai i dha vetes, ndërgjegjshëm kësaj here, rastin për të rikonceptuar kontratën shoqërore, për të risjellë pranë vetes demokracinë politike.
Në shoqërinë tonë ne jemi të mangët në demokraci e Republikë. Andaj i referohemi gjithnjë datave me domethënien më të madhe. Arsimi ynë duhet të bëjë të pamundurën për ta lexuar semantikën e datave të tilla. Data të tilla duhen parë si ngjarje, si çastet kur ka ngjarë themelimi i njeriut si komunitet i të drejtave. Pa ngjarje të kësaj përmase nuk mund të evidentohet nëse njerëzimi është një proces në ecje prapa, në ngecje, apo ecje përpara, në përparim.
Mendësia e francezëve në këtë datë e gjeti edhe orientimin e saj kombëtar, por edhe universal. Në një farë mënyre, me hartimin e të drejtave të njeriut, me hamendësimin e universalitetit të tyre, çdo francezi i delegohej puna që në kombin e vet t’i mendonte të drejtat e njeriut të zbatueshme në tërë botën. Ai kishte të drejtën ta shihte kombin e vet si eksperimentues të të drejtave të njerëzimit në tërësi. Ja dhe ku vendosej pika orientuese e barazisë, një nga çështjet thelbësore që gjatë veprimtarisë politike unë vetë, e bashkë me mua subjekti politik ku bëj pjesë, e kemi përdorur si një direktivë orientimi dhe veprimi.
Barazia dhe liria sjellin në ekzistencë të vetmen konkurrencë të denjë, atë mes imagjinatës teorike të mendimtarëve të mëdhenj dhe pjesëmarrjes masive të një populli. Vetëm një konkurrencë e tillë mund të sjellë njerëzim. Një popull u vu në shërbim të mendjeve të veta të ndritura, gjë që i shtyu mendjet e ndritura ta nxisin maksimalisht imagjinatën e tyre morale, politike dhe intelektuale. Ky lloj bashkërendimi mes imagjinatës së inteligjencës dhe pjesëmarrjes së popullit, kam merakun se nuk është më aq i fuqishëm në ditët tona. Andaj theksova edukimin e arsimin. Një arsim që nuk është emancipues, që nuk është kuptues i datave të mëdha, zor se punon për shprehjen publike të lirisë dhe barazisë.
Që nga kjo garë ose bashkëveprim, që në frengjisht mund të gjendet në të njëjtën fjalë, konkur (concours), merr jetë ideja e Evropës. Ideja e Evropës është edhe vetë ideja e emancipimit të popujve. Nuk mund ta sigurojmë veten sot se pa filozofinë e dritave dhe pa ngjarjet që shenjon 14 korriku, projekti evropian do të kishte mbërritur shkallën e sotme të integrimit. Por kërkohet sot që vetë deputetët e Evropës, zyrtarët e saj, ta kenë parasysh këtë potencën e ideve që e kanë inspiruar përgjatë dy shekujve. Nga parlamenti i Evropës duhet të lindin premisat që vetë populli i Evropës të jetë një popull i vëllazërisë, pra një popull ku nuk ka asnjë kolektiv që këput lidhjen mes individit dhe vullnetit të përgjithshëm. Për fat të keq, ne dëgjojmë nga eurodeputetë të sotëm fraza që shpallin aftësi diskriminuese. Përsërita vetëm një frazë nga Rousseaui: kolektivat që këpusin lidhjen mes vullnetit të përgjithshëm dhe individit. Për çka thashë më sipër, e shoh datën e 14 korrikut si një datë thelbësisht të dyfishtë, mes popullit të 1789-s dhe kombit të 1790-s, si një datë që duhet të inspirojë banorët e Evropës.