Një takim “i thelluar dhe konstruktiv” ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq u zhvillua të martën në Bruksel, siç tha emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak. Përveç dakordimit me Petkoviqin për zbatimin e deklaratës për personat e zhdukur në luftë, zëvendëskryeministri njoftoi se në takimin e tij me Lajçakun u trajtuan edhe “tema të ndryshme të rëndësishme”, duke përmendur aktivizimin dhe mundësinë e hapjes së disa pikave kufitare të Kosovës me Serbinë. Deklaratat për mundësinë e aktivizimit të këtyre pikave vijnë një muaj pas sulmit në Kanalin e Ibër -Lepencit për të cilin Kryeministri Kurti beson se është orkestruar nga Serbia.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq shkuan të martën në Bruksel për rundin e radhës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që me gjasë do të jetë i fundit për këtë vit.
Ata u ulën përballë njëri-tjetrit e edhe u dakorduan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës.
“Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen të pengohet puna e këtij komisioni”, tha zëvendëskryeministri.
Kjo “ka qenë vetëm një nga temat” të cilat u trajtuan, tha ai.
Në takimin bilateral me Lajçakun, Bislimi tha se u trajtuan “tema të ndryshme të rëndësishme”, ndërsa përmendi mundësinë e hapjes së disa pikave kufitare me Serbinë.
“Për shembull, te IBM-i (Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit), kemi diskutuar për mundësinë e riaktivizimit të grupit të përbashkët për implementim në mënyrë që të trajtohen tema me rëndësi siç janë aktivizimi i pikave kufitare në Izvor dhe Kapi, mundësia e hapjes së pikave kufitare sezonale në Muhovc, Breznicë dhe Dobrosin, pastaj domosdoshmëria që të ketë prezencë 24-orëshe të inspektorëve hidro-sanitarë në pikën doganore në Dheun e Bardhë dhe mundësia që të fillohet me konsolidimin apo harmonizimin e 13 certifikatave hidro-sanitare mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Bislimi tha se Lajçak “e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit dhe po ashtu ka treguar që BE-ja është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtij rasti”.
Për këtë sulm Kryeministri Kurti në reagimet e para kishte akuzuar duke thënë se beson se është orkestruar nga Serbia.
Ai tha se kanë diskutuar edhe tema që prekin fushën e energjisë dhe çështjen e vizitave zyrtare ku tha se “ka brenga që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë”.
Lajçak foli për takim “të thelluar dhe konstruktiv” me Bislimin e Petkoviqin, të cilët i falënderoi për bashkëpunimin e mirë.
Ai tha se kanë diskutuar edhe për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa ua përmendi të dyja palëve “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.
Për dakordimin për çështjen e të zhdukurve, Lajçak u shpreh “shumë i lumtur”. Ky tha se ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.
I kënaqur u duk edhe Petkoviq: “Tani është hequr pengesa e fundit sa i përket zbatimit të Deklaratës për Personat e Pagjetur”, tha ai, duke paralajmëruar njësoj formimin e Komisionit të Përbashkët.
“Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha kryenegociatori serb.
Si zakonisht, ai e përmendi edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Për këtë kemi folur me forcë dhe kemi insistuar edhe në takimin bilateral direkt me zotin Bislimi”, tha ai. Në fund të janarit Lajçakut i përfundon mandati si emisar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ky mund të ketë qenë takimi i fundit ndërmjet dy vendeve që ai e ndërmjetësoi.