Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet të hënën, më 21 nëntor.
Kështu po raporton REL-i me burime diplomatike. Edhe pse mbajtja e takimit u konfirmua të premten, momenti i saktë i takimit nuk u caktua pasi gjithçka varej nga disponueshmëria e palëve dhe aspektet logjistike.
Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.
Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës tha se “me gjasë nesër [e diele] do të ketë një takim në Bruksel” mes Kurtit dhe Vuçiqit, por se do ta njoftojnë publikun kur të konfirmohet ky takim.
Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano.