Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish me tone refuzuese për mundësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në një intervistë dhënë Agjencisë Austriake të Lajmeve, APA, Kurti ka thënë se Asociacioni, si i tillë, duke qenë një-etnik, është kundër Kushtetutës së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Ai fajëson ata që ishin në pushtet para tij për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“Unë kam ardhur në pushtet vitin e kaluar, kanë qenë paraardhësit e mi që kanë nënshkruar këtë marrëveshje me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi, pse nuk e zbatuan atëherë?”, ka thënë Kurti.
Kurti tutje thotë se Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve lokalë, por e vet Beogradit, që sipas tij, kërkon të kompensohet për humbjet që i pësoi në luftë.
“Kushtetuta jonë nuk është në përputhje me një bashkim etnik, sepse thelbi i kushtetutës së Kosovës është natyra multietnike e shtetit. Kërkesat për një autonomi të tillë për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk erdhën as nga popullata vendase. Vetëm Beogradi e dëshiron këtë në mënyrë që të kompensohet për humbjet që pësoi në luftën në kohën e Millosheviqit”, tha tutje i pari i Qeverisë së Kosovës.