Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij zyrtare që ka zhvilluar në Estoni.
E ka nisur me takimin që ka pasur me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, duke thënë se ajo ka ofruar mbështetje për Kosovën në rrugën euroatlantike dhe procesin e liberalizimit të vizave, raporton Express.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën tonë euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka folur edhe për takimet tjera që ka pasur atje.
Postimi i plotë:
Vizitën zyrtare në Estoni, e fillova me takimin me Kryeministren e Republikës së Estonisë, Kaja Kallas.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën tonë euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.
Në drekën me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu, theksuam ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë. Falënderova ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme.
Në Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike (eGA) takova Drejtorin Ekzekutiv, Hannes Astok, e në e-Estonia Briefing Centre, u prita nga Menaxherja e përgjithshme, Ave Lauringson. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë Estoneze të E-Qeverisjes (eGA). Si rezultat, ekspertë nga Estonia po ndihmojnë Kosovën në hartimin e strategjisë së re për E-Qeverisje, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital.
Fushat e bashkëpunimit që forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin tema e takimeve të ndara në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Estonisë, Jüri Ratas dhe Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.
Avancimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë në kontinentin e Evropës, ishin pjesë qendrore e diskutimeve në takimet që patëm bashkë me Zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadoren jo rezidente të Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltarin tim, Lulëzon Jagxhiu.