Ditë më parë ka filluar fushata e korrje-shirjeve në territorin e Komunës së Vushtrrisë. Korrjen e grurit të hënën e ka parë nga afër edhe kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Idrizi iu premtoi mbështetje bujqve me dyfishim të subvencioneve. Ai vlerësoi se sigurimi i një standardi të mirë është rikthimi i punës në bujqësi.
Nuk la pa përmendur edhe bujqit tjerë të cilët merren me kultivimin e patateve.
“Po sot erdha me i vizitu edhe me i bë përhajër fillimin e korrje-fshirjeve këtu. Edhe pse dje vizitova një kompani që punonte, sot erdha me shumë kënaqësi se më treguan që është një djalë i ri 16 vjeç që i ka mbjell hiç më pak se 20 hektar me grurë e që këtë e kam afër këtu dhe ky është i pasionuar pas bujqësisë. U ndjeva shumë mirë, bashkë jemi të pranishëm edhe me familjen Rashica këtu jemi në familjen Rashica edhe bereqetet siç duket janë të mira. Mbështetja për bujqit edhe sivjet po edhe vitet e ardhshme ka me qenë, edhe sivjet e di që i ka mbështetur edhe Ministria e Bujqësisë po edhe ne si komunë kemi dyfishuar fondet për bujqësi. Kështu që do të jemi shumë afër buqëve. Vlerësojmë dhe besojmë se është mënyra e vetme për të siguruar ushqimin edhe për të pasur një standard më të mirë nëse i kthehemi punëve në bujqësi”, tha Idrizi.
Ndonëse tha se nevojat e Vushtrrisë për grurë janë më të mëdha, u shpreh i bindur se vitin e ardhshëm tokat bujqësore do të jenë me më shumë grurë. E këtë e ndërlidhi edhe me luftën në Ukrainë dhe paralajmërimet për mungesë të grurit.
“Saktësisht sipërfaqet e mbjella me grurë nuk e di sa janë, asnjëherë nuk kanë mbjellë aq shumë për t’i plotësuar nevojat për shkak se Vushtrria shquhet si tokë është liderë për kultivimin e patateve dhe pjesa më e madhe e tokave që janë shumë pjellore kultivohen me patate se ato japin rendimente shumë të larta. Megjithatë këto që i kemi vizituar arat e mbjellura me grurë vërehet që këtë vit është një punë edhe më e mirë po jam shumë i bindur që vjeshta e këtij viti ka me i nxënë nëpër ara duke mbjellë grurë sepse ne po e shohim krizën e bukës, të miellit për shkak të një krize që ka ndodhur, luftës në Ukrainë dhe ne duhet t’i kthehemi punës në vendin tonë dhe të kemi prodhimet tona”, tha tutje ai.