Kryetari i Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi përmes një postimi në facebook ka njoftuar se është takuar sot me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe ish-deputeti Gazmend Bytyqi.
Ballazhi tha se gjatë takimit ata i ka njoftuar me ngjarjet e zhvilluara gjatë qeverisjes lokale, projektet e hartuara, planet dhe synimet e Komunës sëHanit të Elezit.
Postimi i plotë:
Sot, u nderova nga miqtë e mi të vyer, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe ish-deputeti Gazmend Bytyqi, të cilët i njoftova me ngjarjet e zhvilluara gjatë qeverisjes lokale, projektet e hartuara, planet dhe synimet tona.
Ky takim, përpos karakterit miqësor, ishte edhe profesional, ku shkëmbyem përvojat tona për procese të ndryshme, si dhe rreth menaxhimit me çështje të ndjeshme dhe problematike për shumicën e komunave, siç është furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i mbeturinave, dy çështje që janë prioritet edhe për Asociacionin e Komunave të Kosovës, kryetar i së cilës është vet Agim Aliu.
Kryetarin Aliu, posaçërisht e njoftova nga afër edhe me disa nga zhvillimet e fundit, si tek mbikalimi tek hekurudha, punimet tek parku “Isa Berisha”, në Qendrën Kulturore, tek Eksodi 99 ku po planifikohet një projekt madhor, e sigurisht nuk mund të harrohej edhe vendi i shenjtë i Hanit të Elezit, që janë varrezat e dëshmorëve tanë të flijuar për lirinë që e gëzojmë sot.
Takimet e tilla, i kontribuojnë zhvillimit të përbashkët ndërkomunal në fusha të ndryshme, duke krijuar ura bashkëpunimi mes komunave, veçanërisht komunave tona që janë në një linjë gjeografike dhe lidhshmëria jonë, qoftë profesionale apo shoqërore, është mjaft e madhe edhe mes banorëve tanë.
Hani i Elezit jo më vetëm vendkalim, por vendqëndrim dhe tërheqës për ata që e vizitojnë!