Çekia nga e premtja ka marr kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, periudhë kjo që do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2022.
Motoja e Presidencës çeke është “Evropa si detyrë: rimendo, rindërto, rifuqizo”, e marrë nga titulli i fjalimit të Presidentit Václav Havel nga viti 1996.
Në këtë fjalim Havel u kishte bërë thirrje evropianëve që të marrin përgjegjësi për sfidat globale mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe të udhëheqin.
Pesë prioritetet e Çekisë gjatë kryesimit gjashtëmujor të BE-së
Në kryesimin e saj gjashtëmujor, Çekia ka caktuar prioritetet e saj.
Udhëheqësi i Ambasadës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë mbajtur të premten një ceremoni në Prishtinës ku kanë prezantuar prioritetet e Çekisë gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së.
Pesë prioritetet e përgjithshme të Presidencës Çeke përfshijnë menaxhimin e krizës së refugjatëve ukrainas dhe rimëkëmbjen e pasluftës, sigurinë energjetike, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurinë kibernetike të Evropës, qëndrueshmërinë strategjike të ekonomisë evropiane, dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike.
Duke iu referuar Ballkanit Perëndimor, prioritet mbeten progresi në negociatat për zgjerim të BE-së dhe mbështetja e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Ndërkaq, sa i përket specifikisht Kosovës, Çekia prioritet ka caktuar dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e liberalizimit të vizave.
“Republika Çeke po e merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në mes të pushtimit rus kundër Ukrainës që ka kapluar tërësisht situatën gjeopolitike në kontinentin tonë. Kjo na bën të rivlerësojmë shumë prej qasjeve dhe premisave tona aktuale”, tha Bilek.
Në njoftim thuhet se objektivi i përgjithshëm i Presidencës Çeke është të kontribuojë në krijimin e kushteve për sigurinë dhe prosperitetin e BE-së në kuadër të vlerave evropiane të lirisë, drejtësisë shoqërore, demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë mjedisore.
“BE-ja duhet të përqendrohet në garantimin e sigurisë së bashku me NATO-n dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të mënyrës së lirë të jetës dhe demokracisë liberale së bashku me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e tjera demokratike jashtë BE-së”.
“Ndërkaq, Ballkani Perëndimor është ndër zonat prioritare të Presidencës Çeke, së bashku me Ukrainën, Indo-Paqësorin dhe Sahelin. Presidenca Çeke do të përpiqet të arrijë progres konkret në negociatat e zgjerimit të BE-së dhe të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej.
“Shumica e prioriteteve të Presidencës Çeke përkthehen në aktivitete konkrete të BE-së në Kosovë, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës jetike, investimin në burimet e energjisë së gjelbër dhe të ripërtëritshme dhe në mënyra ekologjike të transportit, mbështetjen e digjitalizimit të mëtejshëm dhe sigurisë kibernetike, si dhe kontributin në zhvillim ekonomik, konkurrueshmëri dhe qasje në tregun e BE-së”, tha ambasadori Szunyog.
Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë dy organet kryesore vendimmarrëse të BE-së. Këshilli përbëhet nga ministrat e qeverive të 27 shteteve anëtare të BE-së, të cilët takohen në dhjetë konfigurime të ndryshme për të negociuar, ndryshuar dhe miratuar ligjet e BE-së, për të bashkërenduar politikat e BE-së dhe për të lidhur marrëveshje ndërmjet BE-së dhe vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare.
Nga janari deri më 30 qershor, kryesimin e Këshillit të BE-së e kishte Franca.
Kosova pret nga Çekia që gjatë udhëheqjes së saj t’i jepet fund izolimit të qytetarëve
Të pranishëm në ceremoninë e Ambasadës çeke me rastin e marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Republika Çeke. ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues tjerë politikë, e nga shoqëria civile.
Kryeministri Kurti tha se populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale.
Ai theksoi se Kosova, si i vetmi kandidat potencial për Bashkimin Evropian që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, gjithashtu pret me padurim për të punuar së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatit aplikimin për anëtarësim në BE.
“Kjo presidencë ka një agjendë sfiduese dhe ambicioze, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta demokratike.
Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga BE, ashtu siç jam unë sot i rrethuar nga ju. Ne ndajmë jo vetëm kufij të përbashkët, por edhe histori të përbashkët, vlera dhe të ardhme të përbashkët.
Populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale.
Si i vetmi kandidat potencial për BE që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, ne gjithashtu presim me padurim të punojmë së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatitim aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, tha ndër të tjera Kurti.