Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pritën sot ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.
Një gjë të tillë e ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, duke thënë se veç tjerash u diskutua edhe për vetting-un.
“Në fokus të takimit ishte diskutimi për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë. Synimet tona dhe përvoja e Shqipërisë përbëjnë një kuadër të rëndësishëm të bashkëpunimit. Gjatë takimit u diskutuan shembujt praktikë dhe sfidat konkrete në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në të dy vendet. Kryeministri Kurti tha se vettingu në Kosovë mund të përfitojë shumë nga përvoja dhe mësimet e Shqipërisë”, thuhet në komunikatë.
“Duke u shprehur falënderues për mikpritjen, ministri Manja u shpreh se Shqipëria do të ofrojë ekspertizën më të mirë në ato fusha ku Shqipëria ka shënuar sukses, por në të njëjtën kohë u shpreh i interesuar për të marrë edhe nga përvojat e Kosovës në fushat ku kjo e fundit ka bërë më shumë progres”, vijon komunikata.
Ministritë e Drejtësisë së të dyja vendeve tashmë përveç grupeve teknike që funksionojnë në shërbim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e drejtësisë, tash e tutje do të kenë edhe një person në nivel të kabineteve politike, përgjegjës për mbulimin e të gjitha komunikimeve ndërmjet dy ministrive.