Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci deklaroi nuk ka pasur asnjë ndikim politik në rastin e tarifave të energjisë elektrike, ashtu siç pretenduan partitë opozitare. Në një intervistë për KosovaPress, Peci thotë se në Dhomën e Posaçme, e cila vepron në kuadër të kësaj gjykate, ka në pritje rreth 15 mijë lëndë.
Ditë më parë, Supremja rrëzoi dy vendimet gjykatave Themelore dhe të Apelit, të cilat kishin konsideruar rritjen e çmimit të energjisë të kundërligjshme, duke lënë në fuqi vendimin me tarifa të reja më të larta. Për këtë vendim, Supremja u vu në qendër të akuzave për ndikime politike.
Kreu i kësaj gjykate, duke mos dashur të komentojë vendimin, tha se nuk ka ndikime politike në Supreme.
“Mund të garantoj tek unë si kryetar i Gjykatës Supreme nuk ka pasur kurrfarë presioni sepse ka qenë një çështje ashtu ligjore në zgjidhje dhe më tepër nuk ka mundur të ketë edhe presion prej dikujt në kuptim të përgjithshëm po flas… Si Gjykatë Supreme nuk është, as rasti i parë, as i fundit për të cilin kemi sjellë një vendim. Sa i përket ndikimit politik unë sa jam si kryetar nuk ndikime direkte, nuk mund të flasë në emër të gjyqtarëve, mirëpo as gjyqtarët nuk më janë ankuar se kanë presion politik prej dikujt. Në aspektin ligjor gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe nëse preket pavarësia prej ndonjë pushteti tjetër apo prej individi ata duhet të lajmërojnë në Këshill Gjyqësor”, theksoi Peci.
Peci ka deklaruar se numri i lëndëve që aktualisht janë në shqyrtim në këtë gjykatë është rreth 400, me më shumë ngarkesa tek lëndët civile.
Sipas tij, 3 muaj zgjat zgjidhja e rasteve penale, kurse verdikti për ato civile zgjat deri në 6 muaj.
“Kemi një ngarkesë të vogël në lëmin civile por është e përballueshme, në lëmin penale jemi shumë mirë për shkak se numri i rasteve që kanë ardhur së fundmi janë të vogla edhe në çështjet administrative po ashtu. Në përgjithësi përafërsisht numri i lëndëve të papërfunduara në Gjykatën Supreme janë rreth 400 dhe mesatarja e zgjidhjes së rasteve në penale po e marr është rreth 3 muaj e për civile është për 6 muaj, por nuk është një afat i paarsyeshëm kohor i zgjidhjes së rasteve në këtë drejtim nuk ka problem”, theksoi ai.
Në kuadër të Gjykatës Supreme është edhe Dhoma e Posaçme për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e në pritje në këtë shkallë janë rreth 15 mijë lëndë.
Sipas tij, numri i gjyqtarëve është i vogël për trajtimin e të gjitha këtyre lëndëve.
“Performanca po del keq pikërisht nga problemet dhe ngarkesat që ka kjo Dhomë, faktikisht aty janë duke pritur raste të shumta… Përafërsisht janë rreth 15 mijë raste kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë, numrin më të madh të gjyqtarëve e kanë pasur të EULEX-it dhe këto raste trajtohen dhe janë të viteve edhe kur ka pasur kompetencë ekskluzive EULEX-i. Faktikisht tash gjyqtarët e kanë ngritur numrin e lëndëve të përfunduara, por me të vërtetë është e pamundshme që me këtë numër të gjyqtarëve të përballen me këtë numër të lëndëve… Faktikisht janë rreth 15 gjyqtarë, është paraparë që ndoshta me 20 gjyqtarë të startojë, por nuk mjaftojnë duke marr parasysh edhe numrin e lëndëve, por ne e kemi shpresën që numri i ardhjes së rasteve ka me qenë më i vogël pasi që për një kohë të gjatë privatizimi është ndërprerë dhe në këtë drejtim mundet ndoshta që në 5 vitet e ardhshme të përfundojë procesi i privatizimit dhe mos të ekzistojë ndoshta edhe nevoja për një Dhomë të Posaçme për këto çështje”, u shpreh ai.
Derisa i ka listuar sfidat e kësaj gjykate, Peci theksoi si më kryesoren mungesën e unifikimit të praktikës gjyqësore, e cila siç u shpreh ai, do t’i ishte përgjigje për pakënaqësitë por edhe do rriste besimin e qytetarëve në gjyqësor.
“Sfida kryesore është ende unifikimi i praktikës gjyqësore për shkak se nuk është me rëndësi se numerikisht kryen lëndë, por me rëndësi është cilësia gjyqësore, Gjykata Supreme në vazhdimësi po bën përpjekje për të bërë një unifikim të përgjithshëm jo vetëm të gjykatës por edhe të gjykatave të tjera dhe unë po shpresoj që në këtë drejtim duhet të diskutohet më tepër për shkak se unifikimi zgjidh edhe pakënaqësitë dhe besimin e ulët të qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor”, theksoi Peci.