Vrasje në tentative, vjedhje, mashtrime, raste të shumta të dhunës në familje, aksidente trafiku, dhunim, armëmbajtje pa leje, sulme seksuale, kanosje e arrestime të personave të kërkuar, ndodhën gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.
Për këto raste rëndom informon policia me anë të raportit të saj 24-orësh.
Dje në Kosovë kanë ndodhur 26 aksidente trafiku me persona të lënduar dhe 56 aksidente trafiku vetëm me dëme materiale. Po ashtu janë shqiptuar edhe 1783 tiketa trafiku.
Policia fillimisht informoi për vjedhjen e një veture të parkuar në rrugën “Hamdi Grajqevci” në Fushë Kosovë. Për këtë rast nuk ka ende persona të arrestuar.
Në Prishtinë u arrestua një person i gjinisë mashkullore nën dyshimet për ngacmimin e një vajze, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Podujevë, policia gjeti në veturën e një personi të gjinisë mashkullore 17.88 gramë marihuanë. Pas intervistimit të të dyshuarit me urdhër të prokurorit kujdestar rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.
Dy raste të dhunës në familje ndodhën në Prishtinë e një në Fushë Kosovë.
Një mashkull e ka sulmuar fizikisht një mashkull tjetër në Prishtinë, ky rast ka kaluar në procedurë të rregullt. Teksa viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Ndërsa, në një rast të ndërë një person është dërguar në mbajtje pasi ka sulmuar një femër.
Për kanosje në Fushë Kosovë një mashkull është dërguar në mbajtje, ka njoftuar tutje policia në raportin e saj 24 orësh.
Në Drenas për veprën penale “mashtrimi”, një i dyshuar është dërguar në mbajtje. Dyshohet se ka mashtruar dy meshkuj.
Gjithashtu njoftohet për një vajzë të zhdukur nga Prishtina. Ky rast po hetohet nga policia.
Një shtetase e Shqipërisë ka raportuar në polici gjetjen e një arme në Ranillug, policia në vendngjarje e ka konfiskuar një revole.
Në Ferizaj policia ka arrestuar një person nën dyshimet për dhunimin e një vajze, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Tek Dheu i Bardhë është raportuar për aksident trafiku mes dy veturave. Të përfshira një veturë me targa të huaja dhe një me targa vendore, lëndime trupore kanë pësuar tre persona.
Në rugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, është raportuar për një vjedhje të rëndë. Persona të panjohur kanë vjedhur brenda një objekti para të gatshme nga një arkë.
Ndërsa në rrugën “Ramadan Ferizi” në Ferizaj, persona të panjohur kanë dëmtuar dritaren e një objekti pasi kanë depërtuar me forcë brenda.
Në Rahovec është prangosur një person i gjinisë mashkullore pasi gjatë kontrollimit u ka ofruar para zyrtarëve policorë. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Suharekë është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje një person për kanosje.
Në Prizren është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje një person për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Ndërsa një vajzë është dërguar te familja e saj, pasi është hapur rasti në Prizren për “bashkëjetesë martesore me personin nën moshën 16-vjeçare”.
Në Shkozë të Prizrenit një person ka shtënë me armë zjarri në një aheng. Policia e ka konfiskuar një revole.
Po në Prizren një person ka raportuar se të panjohur ia kanë dëmtuar derën e oborrit.
Në sheshin “Skënderbeu” në Pejë, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke manipuluar me veturë në shëtitoren e qytetit, ka rrezikuar qytetarët të cilët ishin duke lëvizur në atë lokacion. Lidhur me rastin meqënse vetura ka rezultuar e paregjistruar, e njëjta është dërguar në terminal doganor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po në Pejë është arrestuar një mashkull për dhunë në familje ndaj viktimës femër kosovare si dhe kishte bërë shkelje të urdhërit mbrojtës. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Në Vitomiricë është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë bastisjes në banesën e tij është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 2 fishekë cal-9mm. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Në Saradran të Istogut është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte shtënë në ajër me armë zjarri në një aheng familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar pistoleta me dy fishekë.
Në Kosuricë të Pejës dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë sulmuar fizikisht dhe me mjete të forta viktimën mashkull kosovar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Çifllak të Rahovecit, njësitet policore pas pranimit të informatës për të shtëna me armë zjarri në një lokal, kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit kanë gjetur e konfiskuar 10 gëzhoja të armës automatike AK-47. Njëri nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë është shoqëruar për intervistim dhe më pas në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari tjetër është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar.
Dy persona në Gjakovë në dy raste të ndara janë arrestuar për dhunë ndaj dy grave. Njëri është liruar e tjetri është dërguar në mbajtje.
Në rrugën “UÇK” në Gjakovë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata është arrestuar një mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Në rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri, njësiti policor ka ndaluar një veturë në të cilën gjendej një mashkull kosovar në posedim të së cilit është gjetur një sasi e dyshuar e narkotikëve të cilën njësia policore e ka konfiskuar.
Në rrugën “Agim Ramadani” në Mitrovicë dy dëshmitarë meshkuj kosovarë kanë njoftuar se dy predha të armës kishin rënë në vendparkim në lokacionin e lartëcekur. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin njësia e forenzikës ka konfiskuar dy predhat.
Gjithashtu në Mitrovicë është raportuar për një vdekje të dyshimtë. Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
Raportohet se në Vushtrri një person i panjohur ka sulmuar seksualisht viktimën femër. Lidhur me rastin janë marrë veprime për inicim të rastit si më lartë. Rasti nën hetime.
Të shtëna me armë zjarri ka pasur në një aheng edhe në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë. Njësitet policore te i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 4-gëzhoja cal-9mm.
Edhe në Runik të Skënderajt është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Njësitet policore te i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e cila dyshohet se është me gas, një karikator dhe tetë (8) fishekë. I dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Në Stanovc të Vushtrrisë është arrestuar një i dyshuar për kanosje.
Në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që pas sulmit të të dyshuarit mashkull kosovar ndaj viktimës mashkull kosovar, janë përfshirë në sulm ndaj viktimës edhe katër të dyshuarit tjerë. Lidhur me rastin viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.
Për një rast të sulmit seksual është arrestuar një i dyshuar, i cili më pas është liruar.
Në fshatin Kçiq të Mitrovicës ka ndodhur aksident trafiku në mes një veture zyrtare dhe një veture civile. Si pasojë, lëndime kanë pësuar një mashkull dhe pesë femra kosovare, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar.
Në rrugën “Kral Petri” në Mitrovicë ankuesja femër kosovare ka njoftuar se ishte kërcënuar përmes telefonit nga i dyshuari mashkull. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Zveçan ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar po ushtron dhunë ndaj saj.Në lidhje m e rastin është arrestuar i dyshuari dhe të njëjtit i është bërë matja e alkool testit ku ka rezultuar se i njëjti është nën ndikim të alkoolit. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari ndalet në stacion policor, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Si përfundim 28 persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Kosovë. 14 persona janë dërguar në mbajtje, 1 person në ndalim policor dhe një person në vuajtje të dënimit.