Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, duke kërkuar që të ndiqet shembull i kësaj feste dhe të bëhen punë të mira për vendin.
Krasniqi uroi në mënyrë të veçantë edhe familjet e dëshmorëve dhe të martirëve si dhe për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë duke uruar kthimin sa më të shpejtë të tyre.
“Është një nga ditët e mëdha dhe ditët e veçanta kur ne mendojmë edhe më shumë sesa në ditët e zakonshme për bamirësinë, solidaritetin por edhe për sakrificën sepse janë këto simbolika të kësaj feste. Në këtë ditë padyshim që mendojmë për ata që kanë nevojë për t’ju gjetur pranë, mendojmë për njerëzit të mirë të vendit të cilët nuk i kanë të afërmit e atyre afër vetes, i urojmë në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve dhe të martirëve.
Në këtë ditë padyshim mendjen e kemi edhe tek udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Gjykatën Speciale duke shpresuar që shpejt do t’i kemi në mesin tonë. Por po ashtu thërrasim dhe ftojmë që të marrim nga shembulli i Kurban Bajramit dhe t’i gjendemi më afër njëri-tjetrit, të kemi më shumë mirëkuptim për njëri-tjetrin, më shumë dashuri për njëri-tjetrin dhe të frymëzohemi për të bërë më shumë punë të mira për vendin e kombin tonë”, deklaroi Krasniqi.
Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar pritjen tradicionale të Kurban Bajramit, ku përpos Krasniqit, për urime ishin edhe krerë të tjerë institucionesh.