Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar demonstratën e 11 marsit 1981 që e konsideron si pranvera e madhe që nuk përfundoi deri në çlirimin e Kosovës.
Krasniqi, mes tjerash, tha se nderon dhe vlerëson lartë të gjithë studentët e rënë në këto protesta.
“42 vite më parë, mijëra studentë të guximshëm, idealistë dhe me vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës – u ngritën bashkë dhe njëzëri – për të kundërshtuar një sistem shtypës dhe armiqësor”.
“Shpërthimi qytetar i katër dekadave më parë ishte akumulim i pakënaqësive dhe, njëkohësisht, fillim i “Pranverës së Madhe”, e cila nuk do të përfundonte më deri në çlirimin e Kosovës. 11 marsi i vitit 1981, mbi të gjitha, ishte artikulim dhe manifestim gjithëpopullor i kërkesave tona politike, ekonomike, shoqërore e arsimore”.
“Duke e njohur peshën e kësaj date dhe duke e vlerësuar rëndësinë e asaj që do të nxiste më pas në vendin tonë, sot, nderojmë studentët e rënë në ballë të këtyre protestave. Sot, kujtojmë dhe vlerësojmë edhe kontributin e të gjithë studentëve, profesorëve dhe të të gjithë popullit tonë që bashkë nisën ndryshimin e kursit të historisë dhe projektimin e ëndrrave të reja për Kosovën” ka shkruar Krasniqi.