Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se nuk është marrë asnjë veprim nga ekipi për draftimin e statutit për formimin e asociacionit. Ai tha se e ka të vështirë të sigurojë dokumentacion nga ekipi në të kaluarën, meqë nuk janë zhvilluar aktivitetet në mënyrë transparente.
Sipas marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Menaxhues do të merrte përgjegjësinë për të propozuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, statut ky që do të përcaktojë strukturën organizative, qëllimet, proceset vendimmarrëse dhe kompetencat e tij.
Për herë të parë në vitin 2016, Ministria e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale e Qeverisë së Kosovës emëroi Ekipin Menaxhues. Po, aktualisht, rreth përbërjes së këtij ekipi dihet shumë pak.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ditë më parë ka konfirmuar se deputetja e Serbisë, Danijella Vujiçiq është në krye të këtij ekipi.
Po ashtu edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se pjesë e ekipit janë dy serbë nga veriu, dy nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministri i Administrimit të Pushtetit, Krasniqi, ka deklaruar se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim deri më tani.
“Deri në këtë moment që ne po flasim, unë si ministër nuk kam ndërmarrë asnjë veprim drejt takimit ose aranzhimit të punës të asnjë lloj ekipi”, ka deklaruar shkurt ministri Albert Krasniqi.
Krasniqi tha se as nuk mund të flasë për afate se kur do të ketë ndonjë propozim nga ky Ekip, pavarësisht se edhe marrëveshja e fundit në Ohër kërkon që të përshpejtohet me zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
“Unë si ministër nuk jam pjesë aktive e dialogut dhe për këtë nuk mund të flas assesi me afate të asnjë lloji. Mirëpo unë çfarë mund të ndaj në këtë moment me juve është që nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë deri në këto momente, si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në këtë drejtim”, deklaron Krasniqi.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se e ka të vështirë të sigurojë dokumentacioni mbi punën e ekipit në të kaluarën.
“Nuk mund të flas për një rol specifik, ju po i referoheni një marrëveshje të vjetër dhe marrëveshja e vjetër është që ky ekip teknik ka raportuar tek ministri i Pushtetit Lokal. Dhe unë po e kam pak të vështirë për të siguruar dokumentacionin mbi punën e ekipit në të kaluarën. Për shkak se nuk janë zhvilluar edhe aktivitetet në formën më transparente të mundshme. Por për atë do të jemi shumë të kujdesshëm në veprimet dhe punët tona”, vijon ai për KosovaPress.
Teksa përmend vendimin e vitit 2020 nga ish-ministri Goran Rakiq, ai tha se ky ekip teknik përbëhet prej dy anëtarëve të veriut dhe jugut të Kosovës.
“Është një vendim i vitit 2013 që është plotësuar-ndryshuar edhe në vitin 2016 dhe mandej edhe në vitin 2020 nga ministri Rakiq. Flasim për një ekip teknik, i cili ka qenë i përbërë nga dy anëtarë nga veriu i Kosovës dhe dy anëtarë nga komunat e tjera të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ministri Krasniqi.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./kp