Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se është dita e katërt që kur kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian.
Ai ka thënë se është po ashtu dita e katërt që gjithandej në Kosovë diskutohet për këtë marrëveshje dhe për pasojat eventuale që sjell ajo në mungesë të qartësimit të çdo pike të saj.
Sipas tij, një politikan i ndërgjegjshëm do të kishte shkuar vet në seancë për të raportuar, pa ndonjë mocion.
Ai ka thënë se Kurti nuk ka pse të ikë e as të frikësohet nga deputetët.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka kryeministri se me ardh në Kuvend e me iu drejtu deputetëve e qytetarëve. Po flasim për një marrëveshje preambula e së cilës heq dorë nga njohja e ndërsjellë, neni 10 specifikon se pa njohje të ndërsjellë pranon asociacionin. Nga ajo që kemi parë është që ajo marrëveshje nuk mund të fuqizohet pa u ratifikuar në Kuvend. Ka shumëçka se çka thuhet në këtë marrëveshje. Ne e mbështesim kërkesën për debat”, ka thënë ai.