Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen nga kamerat. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është pajisur me to dhe i ka prezantuar sot gjatë mbledhjes.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se me këto kamera do të garantohet siguria e materialeve zgjedhore dhe do të ruhet integriteti i procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.
“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.”
Elezi shtoi se kamerat do të vendosen në mënyrë që të sigurohet fshehtësia e votës.
“Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit.”
“Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullësi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese. Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.”