Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të zëvendësuar komisionerët e nominuar nga partia politike, Partia Kosovskih Srba (PDK), të cilët kanë njoftuar këtë institucion se nuk do të dalin në ditën e zgjedhjeve në vendvotime.
Njoftimi i tyre ka ardhur pas tërheqjes së kreut të kësaj partie, Aleksandër Jabllanoviq nga kandidimi i tij për kryetar të komunës së Leposaviqit.
Zëvendësimi i tyre do të bëhet me staf lokal nga administrata e Agjencionit për Regjistrim Civil.
KQZ-ja ditën e sotme ka miratuar edhe rekomandimin e
Kryeshefit ekzekutiv të sekretariatit, Burim Ahmetaj tha se për zëvendësimin e tyre janë bërë të gjitha verifikimet në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.
“Kemi dorëheqje dhe mospjesëmarrjen e komunës së Leposaviqit së bashku me anëtarët e komisionit dhe për t’i plotësuar të gjitha vendet e lira, sekretariati ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe dispozitat ligjore, t’i plotësojë me staf. Janë bërë të gjitha verifikimet qoftë edhe prej zyrtarëve të administratës lokale, që janë të regjistrit civilë, po ashtu dhe stafi i sekretariatit të cilët do të jenë dhe do të shërbejnë si anëtar të këshillit në ditën e zgjedhjeve. Të gjitha këto vendime i ka marrë sekretariati dhe rekomandimin e bazon në dispozitat ligjore për zgjedhjet e përgjithshme”, shtoi ai.
Ahmetaj tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e nesërme në katër komunat në veri, derisa shtoi se janë edhe 25 persona nëpër burgje, të cilëve do t’iu mundësohet votimi.
“Në 13 qendrat e votimit të cilat janë alternative, tanimë janë duke u bërë përgatitjet e fundit që të funksionalizohen të gjitha dhe së bashku me qendrat e rregullta të votimit, në mënyrë që të krijohen kushtet për organizmin e zgjedhjeve. Nga raportet e divizioneve, përkatësisht nga shërbimi i votuesve kemi pranuar një listë të personave që janë të ngujuar në institucione…sekretariat me miratimin e KQZ-së, do të dërgoi ekipe mobile dhe do t’u jap të drejtë të gjithë këtyre votuesve për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar“, tha ai.
Kurse, kryetari i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi i ftoi qytetarët e veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
“Ne si komision i kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për t’i organizuar zgjedhjet. Kemi të gjitha vendvotimet që i kemi miratuar, i kemi vendosur kontejnerët në vendet e caktuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve nesër, andaj në emër të KQZ-së unë ftojë të gjithë qytetarët e komunave të veriut që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të dal në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe të ndërtojnë institucionet e tyre demokratike.. me shpresë që i gjithë procesi do të shkoj i qetë dhe i lirë”, tha ai.
KQZ-ja gjithashtu ka miratuar planin operacional për ditën e nesërme të zgjedhjeve./KP