Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ka miratuar vendimin i cili mundëson lejimin e votimit në vendvotime të votuesve me dokumente të skaduara të identifikimit të Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni qendror i zgjedhjeve, në pajtim me autorizimet e dhëna me nenin 63, 64 paragrafi dhe nenin 90 të Ligjit Nr.08/L-228, për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe nenin 41 të Ligjit Nr.05/L -031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, përmes votimit në procedurë qarkulluese me datë 08.02.2025, nxjerr këtë: vendim: Për lejimin e votimit në vendvotime të votuesve me dokumente të skaduara të identifikimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin KQZ-së.
Aty gjithashtu thuhet se lejohet votimi në vendvotime të votuesve me dokumente të skaduara të identifikimit të Republikës së Kosovës, për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 8 dhe 9 shkurt 2025.
“II. Obligohen Këshillat e vendvotimeve për zbatimin e këtij vendimi.
III. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në njoftim.