Në mesnatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin për subjektet politike që të aplikojnë për certifikim dhe t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë. Tashmë partitë kanë dorëzuar listat me emrat që garojnë për të fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës. KQZ do të kërkojnë nga katër institucione që të bëhet verifikimi i kandidatëve.
25 subjekte politike dhe mbi 1280 kandidatë kanë aplikuar në KQZ që të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se do të kërkojnë nga institucionet kompetente që të bëjnë verifikimet e nevojshme sa u përket kandidatëve.
“Me qëllim të zbatimit të 30 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjnë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.”
Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ua dërgojnë emrat që janë të dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
“Në këtë nen, parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, andaj me qëllim të verifikimit kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.”
KQZ ka një kërkesë edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa
“Gjithashtu, ky nen specifikon që kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore.”
Elezi ka shtuar se KQZ do të bashkëpunojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme që të verifikojnë që kandidatët për deputetë nuk janë funksionarë me status të veçantë në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publikë apo anëtarë të shërbimit të jashtëm dhe përfaqësuesë diplomatikë.
“Neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë apo anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomati. Për të bërë verifikimet e nevojshme edhe për këto kufizime ligjore, ne do të bashkpëunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëe të Jashtme dhe e Diasporës.”
Ndërsa vetë KQZ do të verifikojë që kandidatët nuk janë kryesues apo anëtarë të KQZ’së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve. /GazetaExpress/