Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në 19 shtete të ndryshme është duke vazhduar me një pjesëmarrje të konsiderueshme.
KQZ njofton se nga gjithsej 20,324 votues të regjistruar, deri në orën 15:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre 10,346 qytetarë, që përbën 50.91% të votuesve.
Votimi ka nisur në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00 sipas kohës lokale në secilin vend.
Procesi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasadat dhe konsullatat në shtete si Gjermania, Zvicra, SHBA, Franca, Austria, Mbretëria e Bashkuar e të tjera.
Sipas të dhënave të deritanishme, disa nga qytetet me pjesëmarrje më të lartë janë:
Oslo, Norvegji (57.87%)
Stamboll, Turqi (62.35%)
Bern, Zvicër (59.67%)
Gjenevë, Zvicër (59.94%)
Cyrih, Zvicër (61.70%)
Në Gjermani, ku ndodhet një numër i madh i mërgatës kosovare, pjesëmarrja deri në këtë orë ka qenë gjithashtu e lartë, me qytete si Munih (49.34%), Hamburg (51.65%) dhe Frankfurt (54.24%) që kanë shënuar shifra të rëndësishme.
Autoritetet përgjegjëse kanë deklaruar se procesi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe se interesimi i mërgatës për të votuar mbetet i lartë. Pritet që deri në mbylljen e votimeve në ora 19:00, përqindja e pjesëmarrjes të rritet edhe më shumë./Telegrafi/