Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.
Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete në Kosovë.
Kryqi i Kuq i Kosovës do të ekspozojë 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve në sheshin “Skënderbeu” Prishtinë, duke filluar nga ora 09:00, pastaj në orën 10:30, bëhen homazhe te Obelisku, para Kuvendit të Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti.
Kurse, YIHR KS nëpërmjet aksionit rrugor “Dera e Pritjes”, solidarizohet me dhimbjen dhe revoltën e familjarëve dhe shoqërisë më gjerë për zbardhjen e së vërtetës dhe gjetjen e drejtësisë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 12:00.
E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka siguruar një hapësirë e cila do të shërbejë për nevojat e Shoqatës së të pagjeturve të Kosovës dhe zyrtarisht ia dhuron çelësin e zyrës kryetarit të kësaj shoqate në orë 13:00.
Gjithashtu, do të bëhet promovimi i librit ‘Fëmijëri të rrëmbyera’, realizuar nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur. Ndërsa, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) prezanton publikimin “Memorializimi, roli dhe rëndësia e tij në ballafaqimin me të kaluarën”. Pas prezantimit do të pasojë një debat rreth kulturës së memorializimit në Kosovë dhe rajon.
Në Krushë të Madhe përkujtohen familjarët e zhdukur në luftë, 25-26-27 mars 1999, ku në shenjë respekti për ta do të ndezën 64 flakadanë, në orën 19:00.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.