Kosova për herë të parë do të organizoj Kampionatin Botëror Universitar në Hendboll dhe kjo është ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në vendin tonë.
Për të dhënë detaje rreth kësaj ngjarje është mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë qenë të pranishëm ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, Naser Sahiti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtori ekzekutiv i Kupës Botërore Universitare në Hendboll, Musa Selimi, U.D i kryetarit të Federatës së Sporteve Universitare, Gani Ibrahimi, Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.
Ministri Çeku ka theksuar që Ministria e Sportit po bënë gjithçka për të bërë një dinamikë më strategjike në zhvillimin e sportit, duke e trajtuar si prioritet shtetëror për të konsoliduar standardet e qeverisjes së mirë në organizatat sportive, ndërsa u shpreh i lumtur që një ngjarje e tillë sportive po organizohet në Kosovë.
Kupa Botërore Universitare në Hendboll do të mbahet në periudhën 11-17 korrik 2022, në Pallatin e Rinisë dhe sallën “1 Tetori”.
Prishtina do të jetë kryeqyteti i studentëve të botës, 500 sportistë nga 28 universitete do të garojnë për titullin e më të mirit në botë në hendbollin universitar.