Liudmyla Troitska dhe Olena Solodovnikova – janë dy gazetaret e radhës ukrainase që kanë mbërritur sot në Kosovë.
Troitska dhe Solodovnikova do të strehohen në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, të inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Deri më tani në Kosovë janë strehuar 11 gazetarë ukrainas në kuadër të këtij programi.
Programi është duke u implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ECPMF-në.
Gazetaret janë mirëpritur në aeroport nga Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.
Muaj më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës pati miratuar vendimin për zgjatjen e leje qëndrimit të 9 gazetareve ukrainase që janë të strehuara përkohësisht në Kosovë.
Zgjatja e leje qëndrimit ishte bërë në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, dhe ishte bërë e ditur nga kryeministri Albin Kurti.
“Në solidaritet dhe festë të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, sot ua zgjatëm qëndrimin gazetarëve ukrainas në Kosovë, ngritëm flamurin ukrainas krahas atij të Kosovës, dhe ngjyrosëm ndërtesën e Qeverisë sonë”, ka thënë Kurti.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte mirëpritur vendimin e Qeverisë për zgjatjen e leje qëndrimit të kolegëve ukrainas, njëherësh ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë angazhimin për t’i ofruar atyre ndihmën e nevojshme.