Me 18 dhe 19 dhjetor 2024, në Tiranë, u zhvillua takimi i radhës i Këshillit të Zyrtarëve të Lartë të Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF). Krahas përfaqësuesve të ministrive të jashtme të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga udhëheqësi i Divizionit për Rajon, z. Kenan Tora.
Gjatë këtij takimi, sipas radhës, kryesimi një vjeçar me organizatën e Fondit të Ballkanit Perëndimor nga Bosnjë dhe Hercegovina kaloi tek Kosova.
Me këtë rast, z. Tora shprehu vlerësimin për punën që është bërë në kuadër të organizatës gjatë vitit që po lëmë pas, si dhe nevojën që të bëhet më tepër për të avancuar qëndrueshmërinë institucionale të organizatës dhe gjithashtu kapacitetet e saj për të pasur ndikim afatgjatë në fushat e aktiviteteve të saj.
Ai nënvizoi se “Kosova e ka dëshmuar veten që është një partner i besueshëm në Bashkëpunimin Rajonal duke marrë pjesë aktive në mekanizmat rajonal, përfshirë në këtë rast edhe WBF. Për Kosovën, vlerat, parimet dhe standardet evropiane duhet të jenë parimet udhëheqëse në Bashkëpunimin Rajonal, kurse objektivi final është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjatë kryesimit të WBF, Kosova do të angazhohet për të garantuar barazi mes anëtarëve, si dhe transparencë, llogaridhënie dhe efektivitet.
Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) është një organizatë ndërkombëtare e vendosur në Tiranë, Shqipëri, e themeluar nga qeveritë e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Fondi është bërë funksional me 1 tetor 2017, pas përfundimit të procedurave të ratifikimit të Marrëveshjes për themelimin e tij nga të gjitha parlamentet e anëtarëve të tij.
WBF synon të promovojë bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta midis qytetarëve, shoqërisë civile dhe kontaktet mes njerëzve, duke siguruar financime për projekte të vogla dhe të mesme, në fushat e aktiviteteve të saj.
Kurse, Këshilli i Zyrtarëve të Lartë i WBF përbëhet nga zyrtarë të lartë të ministrive të jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë anëtare në këtë organizatë, ose përfaqësues të tjerë të emëruar nga këto shtete, dhe mblidhet të paktën një herë në gjashtë muaj.