Në muajin e ardhshëm pritet nënshkrimi i marrëveshjes së re bilaterale dhe memorandumit të bashkëpunimit me Qeverinë e Luksemburgut që parasheh përkrahjen financiare për Kosovën në vlerë prej 35 milionë euro.
Kjo u bë e ditur gjatë takimit që kryeministri Albin Kurti kishte sot me ambasadorin jo-rezident të Luksemburgut në Prishtinë Patrick Heck.
Populli dhe Qeveria e Kosovës janë shumë mirënjohës për përkrahjen dhe miqësinë e vazhdueshme të Luksemburgut, u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se Luksemburgu është një aleat i fuqishëm i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe dy vendet gëzojnë marrëdhënie shumë të mira bilaterale.
Gjatë takimit u dha zotimi i dyanshëm për avancim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve, ndërkaq u veçua edhe potenciali për bashkëpunim në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Luksemburgu është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe që nga paslufta e ka përkrahur përmes programeve të ndryshme zhvillimore në fushën e arsimit profesional, shëndetësisë, fuqizimit të shoqërisë civile dhe procesit të integrimeve evropiane, që e tejkalojnë vlerën 100 milionë euro.