Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane nga Kroacia.
Ky delegacion ishte i përbërë nga deputeti Domagoj Hajduković, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj, kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri dhe Gabriela Kuharić Kojić, këshilltare në Komisionin për Çështje Evropiane.
Konjufca pas takimit tha se janë zotuar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.
“I falënderova për rolin e tyre në forcimin e miqësisë së ndërsjellë, si dhe u zotuam për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare”, shkroi kryeparlamentari në Facebook.
“Dy shtetet tona mike ndajnë vlera të përbashkëta demokratike dhe kultivojnë po ashtu marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi. Njëherësh Republika e Kroacisë mbetet aleate dhe mbështetëse e fuqishme e proceseve integruese të Republikës së Kosovës”.